Shkollat e arsimit 9-vjecar, të cilat ndodhen në periferi të qyteteve jo vetëm në qarkun e Durrësit por edhe më gjerë, vuajnë prej vitesh mungesën e infrastrukturës së përgjithshme.
Për vite me radhë, nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Neim Babameto” kanë zhvilluar procesin mësimor në kushte jo të përshtatshme për ta. Ka qënë shoqata World Vision, në bashkëpunim me bordin e shkollës, që bënë të mundur ndërhyrjen në ambientet e kësaj shkolle, në mënyrë që nxënësit e saj të gjenin në këtë fillim viti të ri shkollor kushte më të mira
Gjatë pushimeve të verës u ndërhy për izolimin e taracës së kopshtit si dhe prodhimin e vendosjen e 10 dyerve të reja. Falë shoqatës World Vision tashmë nxënësit kanë mundësinë të zhvillojnë mësim në 56 tavolina dhe 116 karrige të reja. Tashmë në ambientet e kësaj shkolle janë krijuar edhe kushtet e posaçme për nxënësit me aftësi të kufizuar duke qenë se në këtë shkollë ka një numër të lartë të tyre.
Në një ceremoni të thjeshtë, të mbajtur në ambientet e sallës ku do të zhvillohen në vazhdimësi të gjitha aktivitetet apo mbledhjet e rëndësishme mes prindërve dhe stafit pedagogjik, u inagurua sot ky investim me vlerë, në prezencë edhe të një sërë përfaqësuesish të pushtetit lokal.
Në fjalën e tij, drejtori i kësaj shkolle 9 –vjeçare, Xhevdet Hoxholli, u shpreh se të gjitha këto investime ishin të domosdoshme, pasi gjendja e kësaj shkolle po degradonte çdo ditë e më shumë.
K.H.





