“Kam punuar 45 vjet në ndërtim, e marr 150 mijë lekë të vjetër. Po megjithatë jam mirë derisa kam këmbë e duar. Jam 82 vjeç e të rri unë në mëshirë të njërit apo të tjetrit”. Qan…

Është Ristan Qosja i cili ka punuar 45 vjet në ndërtim, ku i bëri thirrje atdheu, ku kish nevojë më shumë, duke peshuar gur pas guri e tullë pas tulle, në ndërtimin e qindra veprave. Në moshë të pleqërisë zëri i tij nuk u dëgjua më nga askush. Asnjë ankese të tij nuk iu kushtua asnjë vëmendje.

Ristan dhe Kristina Qose janë dy pensionistë të Durrësit, të cilët, çdo mëngjes i gjen duke shëtitur së bashku. Ata janë shembulli i mijëra pensionistëve të Durrësit dhe Shqipërisë, të cilët kanë punuar për gati 5 dekada në frontet më të vështira, aty ku i ka hedhur ish-komiteti i asaj kohe.

Ristani ka punuar 45 vjet në ndërtim, ka ndërtuar pallate për të pastrehët në shumë qytete të Shqipërisë, në Shkodër, Tiranë, Vlorë etj. Ka punuar edhe në ndërtimin e veprave të mëdha në ish-Metalurgjikun e Elbasanit. Edhe e shoqja ka punuar në ish-komunalen e plazhit por edhe në arsim. Secili përfiton një pension prej 15 mijë lekësh në muaj. Të dy të moshuarit, të cilët vuajnë edhe nga sëmundje kronike për të cilat marrin mjekim të përditshëm, kur i pyet për mirëqënien thonë se nuk shkojnë kurrë në një kafe apo në një vend ku mund të argëtohen.

Për punën e vështirë që ka bërë Ristani 82-vjeçar pensioni e ka zënë shumë pak, por zëri i pensionistit nuk është dëgjuar nga asnjë zyrtare e shtetit ku është ankuar.

Atij dhe bashkëshortes u ka mbetur vetëm të lotojnë sa herë që nuk e gjen dot të drejtën e tij me zyrtarët e shtetit. “Aq të takon më thonë aq meriton”.

Kanë rritur tre fëmijë, kanë punuar një jetë të tërë por nuk shkojnë kurrë të ulen në në kafe. Ngushëllojnë njëri-tjetrin pas çdo fjale.

K.H.