Manushaqe Pirraci, nëna e dy vajzave të zhdukura në Durrës, ka 10 ditë që pret me sytë nga rruga. Nuk ka asnjë lajm prej vajzave, të cilat u larguan një mesnatë për të mos u kthyer më pranë familjes.
45-vjeçarja tregoi se dy vajzat e saj, Sidorela 19 vjeçe dhe Ersilda 16 vjeçe, janë larguar edhe here të tjera, por janë kthyer në banesë disa ditë më vonë.
Pasi nuk ka asnjë lajm prej vajzave të saj, nëna me origjinë nga Burreli e banim në skajin më periferik të ish-Kënetës ju drejtua policisë për ta ndihmuar për gjetjen e tyre. Si nënë, ajo i druhet faktit se vajzat mund të përfundojnë në rrugë të dhunuara apo në rrjetin e drogës e të prostitucionit.
Sidorela pasi mbaroi shkollën e mesme donte të vazhdonte shkollën e policisë, por nuk e pati dot mundësinë. Vajza më e vogël ka mbaruar klasën e tetë.
Gruaja tregon se ajo dhe bashkëshorti i saj mbërritën nga zonat e thella të Burrelit, 15 vjet më parë. Në familjen 6 anëtarëshe vetëm bashkëshorti punon si varrmihës, ndërsa djali më i madh i familjes ju drejtua azilit ekonomik në Francë, ku qëndroi për gati një vit, por u kthye sapo mësoi largimin e motrave. Kryefamiljari është i dehur në të gjitha ditët e javës.
“Vajzat janë larguar shumë herë nga familja, me pretendimin se shkojnë nëpër festa tek shoqet në Durrës dhe Tiranë”,- thotë nëna. Ajo i druhet faktit se vajzat mund të bien pre e rrjetit të prostitucionit dhe ka më shumë frikë për vajzën e vogël, që është ende adoleshente.
Banesa e tyre është mjaft e varfër. Çdo orendi është e dhuruar ose e mbledhur. Madje në këtë banesë nuk ka as televizor apo sende të tjera të domosdoshme. Dysheku i dhuruar ku flinin vajzat ka mbetur në dhomë.
Familja nuk ka përfituar asnjëherë ndihmë ekonomike apo sociale. Varfëria këtu është ulur këmbëkryq. As gjërat më minimale nuk u plotësohen fëmijëve. Madje banesa është edhe pa portë.
K.H.





