Pesë pikë në po kaq javë, dy gola të shënuar dhe 4 të pësuar janë shifra që nuk i shkojnë për shtat ambicieve dhe lojës së treguar nga Teuta. Djemtë e detit kanë treguar nivel të kënaqshëm loje, aq sa të gjithë e renditën skuadrën e drejtuar nga Bledi Shkëmbi midis pretendentëve për zonën europiane.
Megjithatë dy javët e fundit kanë treguar se durrsakët nuk janë ende gati për të synuar diçka të tillë, pasi deri më tani ekipi ka mbetur tek kuadri i lojës së bukur. Kur është luajtur gjysma e e fazës së parë ka ardhur momenti që senatorët të marrin përgjegjësitë.
Pikërisht ata janë thërritur në apel për ti dhënë një marsh më shumë skuadrës në arritjen e objektivave. Klubi ka bërë një sforco të madhe ekonomike për ti afruar në gjirin e tyre, duke nisur me portierin Isli Hidi, për të vijuar me mbrojtësit Ditmar Bicaj dhe Tefik Osmani, pa harruar dhe Gerhard Prognin në repartin e avancuar.
Gardiani ka bërë detyrën në ndeshjet e këtij edicioni por gjithsesi me eksperiencën që ka duhet t’i japë një të shkundur ambientit në synimin e objektivave. Osmani dhe Bicaj nuk duhet të mjaftohen vetëm me organizimin e mbrojtjes ndërsa Progni nevojitet tu tregojë sulmuesve se si shënohet goli. Senatorët janë thërritur në apel me Teutën që ka nevojë për ndihmën e tyre, duke nisur nga sfida me kryesuesit Skënderbeun.





