Benfika është përfshirë në një skandal trukimesh. “O Jornal Economico” raporton se ekipi nga Lisbona akuzohet se së bashku me ish-konsuletin ligjor Pedro Gonkalves dhe dy drejtues të gjykimit, kanë tentuar të trukojnë takimet të kampionatit portugez.

Janë zbuluar shkëmbime e-mail-esh që tregojnë se klubi ofronte prostituta për arbitrat e ndeshjeve dhe madje i kanë paguar atyre dhomat e hotelit. E gjitha në fakt është zbuluar nga ndërhyrja e një hakeri që ka shpërndarë informacionet dhe kërkohet për arrestim, pasi kjo është e ndaluar.

“Mbajmë pozicion të qartë, atë kemi njoftuar në fillim të kësaj historie. Nuk ka fakte që mund të provojnë cilëndo akuzë në këtë proces. Benfika do të bëjë gjithçka për të hedhur poshtë këto akuza”, ishte deklarata e klubit të Benfikës.

Megjithatë hetimi vazhdon dhe mund të nxjerrë në pah një nga skandalet më të mëdha të futbollit portugez.