Kazinotë elektronike kanë afat të zhvendosen nga zonat e banuara të qytetit dhe fshatit brenda 31 dhjetorit të këtij viti.

I njëjti afat vlen edhe për bastet sportive, të cilat brenda vitit duhet të respektojnë distancën mes tyre dhe ndaj shkollave dhe institucioneve fetare. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, ashtu siç lajmëroi më herët në Komisionin e Ekonomisë, nëpërmjet një letre dërguar Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, i kërkon marrjen e masave për zhvendosjen e kazinove brenda 31 dhjetorit 2018.

“Sipas parashikimeve në Ligjin nr. 155/ 2015, ‘Për Lojërat e Fatit në Republikën e Shqipërisë’, subjektet, të cilat ushtrojnë aktivitet në fushën e lojërave të fatit, brenda datës 31.12.2018, duhet të marrin masat për: zhvendosjen e kazinove, nga zonat e banuara; respektimin e distancave minimale prej 100 metra ndërmjet pikave të basteve dhe nga institucionet fetare, institucionet e arsimit parauniversitar dhe institucionet e arsimit të lartë.

Duke pasur në konsideratë sensibilitetin e këtij procesi dhe rëndësinë e zbatimit me sukses të tij, Autoriteti i Mbikëqyrjes të Lojërave të Fatit të ndjekë e të mbikëqyrë me imtësi procesin, me qëllim respektimin me rigorozitet të kërkesave dhe afateve ligjore.

 

Në funksion të sa më sipër e në zbatim të detyrimeve ligjore, të merren të gjitha masat për përmbushjen e detyrimeve nga subjektet e lojërave të fatit dhe të raportohet në terma javorë mbi ecurinë e procesit. Subjektet të informohen për procedurat dhe penalitetet që rrjedhin nga moszbatimi i plotë dhe në kohë i detyrimeve”, thuhet në letrën e ministrit Ahmetaj.