Kompania e parë ajrore shqiptare “Air Albania”, ku aksioner është edhe shteti shqiptar, ka nisur këtë të shtunë fluturimin e parë Tiranë-Stamboll.

Nga Rinasi u nis avioni i parë i pagëzuar me emrin “Lasgushi” (Lasgush Poradeci) me studentët e ekselencës. Ai që i ka përcjellë ka qenë kryeministri Edi Rama së bashku me ministren e Arsimit Lindita Nikolla, ndërsa shefi i qeverisë ka mbajtur edhe një fjalim të shkurtër para nisjes.

“Meritoni vëmendje për shembullin tuaj. Erdha vetëm që të përcjell grupin tuaj dhe jam i bindur që jeni këmba më e mbarë që mund të gjendej në këtë vend për kompaninë tonë të flamurit. Jo më kot na shkoi mendja te ju. Lasgushi është i gjithi i juaji”, tha Rama.

Pasditen e së premtes, avioni Airbus 319, që si stemë ka flamurin shqiptar, u ul në aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit, ku u zhvillua dhe një ceremoni inaguruese.

Fluturimet e para do të jenë drejt Stambollit, ndërsa “Air Albania” do të ketë destinacione të tjera në qytetet kryesore europiane si Roma, Londra apo Milano.

Në qershor të këtij viti, qeveria nisi procedurat për krijimin e shoqërisë “Air Albania”. Tre ortakët e saj janë “Albcontrol” me 10%, që përfaqëson palën shqiptare, dhe dy subjekte të tjera, “Turkish Airlines” dhe “MDN Investment”, përkatësisht me 49 dhe 41%. Sipas qeverisë, krijimi i kompanisë “Air Albania” do të ofronte më shumë mundësi për fluturime “low cost” nga Shqipëria.