Zv/Kryeministrja Senida Mesi u takua me ministren e Administratës Publike Suzana Pribilovic gjatë një vizite pune në Mal të Zi, si dhe me zv/Kryeministrin për Politikat Ekonomike dhe Sistemin Financiar, Milutin Simovic.

Në bisedën që pati me ministren e Administratës Publike, zv/Kryeministrja Mesi diskutoi nevojën e shkëmbimit të përvojave reciproke mes dy vendeve në fushën e administratës publike dhe asaj të shërbimeve publike. Gjithashtu, fokus i bisedës ka qenë edhe bashkëpunimi rajonal, si dhe sfidat e përbashkëta të Shqipërisë dhe Malit të Zi në rrugëtimin evropian.

Kurse gjatë takimit me homologun malazez Milutin Simovic, dy zv/Kryeministrat folën për projektet me interes të ndërsjellë mes dy vendeve dhe më konkretisht, mbi negociimin e kushteve tregtare mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, si dhe mbi veprimet konkrete që duhen ndërmarrë për liqenin e Shkodrës dhe lumin Buna, në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive lidhur me menaxhimin e burimeve ujore ndërkufitare.

Të dyja palët ndanë bindjen e plotë se rezultatet e para të kësaj marrëveshjeje do të pasojnë së shpejti.