Të gjithë individët që marrin pension pleqërie, invaliditeti apo familjare, në masën e plotë apo edhe të pjesshme mund të përfitojnë një kompensim të të ardhurave mujore deri në 760 lekë. “Gazeta Shqiptare” zbardh sot të gjitha kriteret që duhet të përmbushin të moshuarit për të marrë këtë pagesë kompensuese si në qytet edhe në fshat. Kështu kanë të drejtë të përfitojnë deri në 760 lekë në muaj, të gjitha pensionet e pjesshme të pleqërisë, të invaliditetit dhe familjare, që përfitojnë një masë pensioni më të vogël se pensioni bazë. Kjo për llogaritet si raport i produktit të shumëzimit të pensionit të caktuar me 760 lekë dhe ajo që del pjesëtohet me pensionin bazë. Gjithashtu, këtë kompensim mujor e marrin edhe individët që përfitojnë pensione të plota minimale të pleqërisë, të invaliditetit dhe familjare si dhe ata që marrin pensione të pleqërisë, të invaliditetit dhe familjare, që e kanë kufirin deri tek shuma e pensionit të plotë bazë minimal plus 500 lekë, në zbatim të VKM nr. 401. Kjo e ardhur është pjesë përbërëse e të ardhurave nga pensioni dhe përfitohet së bashku me pensionin.
Kompensimi për pensionet e fshatit
Në buxhetin e shtetit parashikohet kompensimi deri në 690 lekë edhe për të ardhurat mujore të pensioneve të fshatit për të gjithë ata që marrin pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar fshati. Përfitues nga ky kompensim mund të jenë të gjithë ata që marrin pensione të pleqërisë të plota dhe të pjesshme, ata që përfitojnë pension invaliditeti të plotë, të reduktuar apo të pjesshëm si dhe ata që marrin pension familjar të plotë ose të pjesshëm. “Përfitohet: a) Deri në 690 lekë në muaj, të gjitha pensionet e pjesshme të pleqërisë, të invaliditetit dhe familjar, që përfitojnë një masë pensioni më të vogël se pensioni bazë. Kjo llogaritet si raport i produktit të shumëzimit të pensionit të caktuar me 690 lekë dhe prodhimi që del, pjesëtohet me pensionin bazë të miratuar; b) 690 lekë në muaj, të gjitha pensionet e plota minimale të pleqërisë, të invaliditetit dhe familjare; c) Deri në 690 lekë në muaj, për të gjitha pensionet e pleqërisë, të invaliditetit dhe familjar, që e kanë kufirin deri tek shuma e pensionit të plotë bazë minimal plus 690 lekë, dhe nga kjo shumë zbresim pensionin e caktuar brenda këtij kufiri; d) Kjo e ardhur është pjesë përbërëse e pensionit dhe përfitohet së bashku me pensionin.”-bën me dije ISSH.
Kompensimi deri në 500 lekë
Në bazë të ligjit “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”; këtë lloj kompensimi deri në 500 lekë e përfitojnë të gjitha pensionet e pleqërisë, të plotë, të pjesshëm, të reduktuar dhe pensionet familjare të plota e të pjesshme të qytetit. “Masa e përfitimit: 500 lekë në muaj, për të gjitha pensionet e pjesshme të pleqërisë;) 500 lekë në muaj, për të gjitha pensionet e plota minimale të pleqërisë; Deri në 500 lekë në muaj, për të gjitha pensionet e pleqërisë, që e kanë kufirin deri tek shuma e pensionit të plotë bazë minimal plus 500 lekë, e cila llogaritet si diferencë ndërmjet kufirit të mësipërm me pensionin e caktuar brenda këtij kufiri; Kjo e ardhur është pjesë përbërëse e të ardhurave nga pensioni dhe përfitohet së bashku me pensionin.”,-thekson Instituti i Sigurimeve Shoqërore.
Kompensim deri në 200 lekë
Këtë lloj kompensimi mbi të ardhurat mujore të pensioneve të qytetit në masën deri në 200 lekë e përfitojnë të gjitha pensionet e pjesshme të pleqërisë, të invaliditetit dhe pensionet e pjesshme familjare të qytetit. Gjithashtu, këtë përfitim e marrin të gjitha pensionet e plota minimale të pleqërisë, invaliditetit dhe familjare të qytetit; si dhe të gjitha pensionet e pleqërisë dhe familjare të qytetit, pasi t’u jenë llogaritur të gjitha kompensimet. Kjo e ardhur është pjesë përbërëse e të ardhurave nga pensioni dhe përfitohet së bashku me pensionin.
Kompensimi deri në 190 lekë
Kompensimin e të ardhurave mujore të pensioneve të qytetit deri në masën prej 190 lekësh e përfitojnë të gjitha pensionet e pjesshme të pleqërisë, të invaliditetit dhe pensionet e pjesshme familjare të qytetit; të gjitha pensionet e plota minimale të pleqërisë, invaliditetit dhe familjare të qytetit; si dhe të gjitha pensionet e pleqërisë dhe familjare të qytetit, pasi t’iu jenë llogaritur të gjitha kompensimet.
Kompensimi për personat në ngarkim të pensionistëve
Instituti i Sigurimeve Shoqërore thekson se mund të përfitohet edhe një tjetër lloj kompensimi për personat në ngarkim që ka përfituesi i pensionit të pleqërisë, invaliditetit dhe familjar. Këtë kompensim e përfitojnë: të gjithë pensionistët që marrin pension, që kanë anëtarë të familjes në ngarkim dhe që janë me banim të përhershëm në qytet; kur kanë në ngarkim fëmijë nën moshën 18 vjeç ose deri në 25 vjeç, kur vazhdojnë shkollën e lartë; si dhe kur kanë persona të tjerë në ngarkim dhe nuk janë më në marrëdhënie pune. Ndërkaq masa prej 414 lekësh në muaj jepet për çdo person të familjes në ngarkim në rastet kur fëmijët janë nën moshën 18 vjeç ose deri në 25 vjeç, kur vazhdojnë shkollën; si dhe kur nipat, mbesat, kur nuk i kanë prindërit, bashkëjetojnë me pensionistin dhe janë nën moshën 18 vjeç, ose deri në 25 vjeç kur vazhdojnë shkollën. Ndërkohë pagesa në masën 207 lekë në muaj, jepet kur një nga prindërit është në marrëdhënie pune, ose në pension. ISSH thekson se ky kompensim nuk përfitohet nga pensionistët që realizojnë të ardhura nga veprimtaria ekonomike si të punësuar, punëdhënës, të vetëpunësuar, ose kanë tokë në pronësi. Për të përfituar nga kjo masë pagese, të interesuarit duhet të dorëzojnë dokumentacionin e përcaktuar si fotokopje e letërnjoftimit elektronik; certifikatë familjare; vërtetim nga shkolla; vërtetim nga zyra e tatimeve, taksave dhe nga bashkitë dhe komunat, për mospatje të aktivitetit; vërtetim nga zyra e punës, si punëkërkues, për personat që janë në ngarkim dhe nuk janë në marrëdhënie pune; si dhe një deklaratë personale.
Kompensim prej 648 lekësh
Nga kompensimi prej 648 lekësh në muaj për mbrojtjen e shtresave në nevojë për efekt të heqjes së fashës së konsumit të energjisë elektrike, deri në 300 kwh në muaj, mund të përfitojnë 2 kategori. Respektivisht mund të marrin këtë kompensim kryefamiljarët që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror dhe pension invaliditeti të plotë në fshat dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar në sektorin privat si dhe kryefamiljarët që përfitojnë pension pleqërie shtetëror ose pension pleqërie fshati, por që janë me banim në qytet dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar. Dokumentacioni që nevojitet për të fituar të drejtën e përfitimit përfshin: deklaratën personale,; fotokopjen e Letërnjoftimit; fotokopjen e kontratës të energjisë elektrike, lidhur midis OSSH-së dhe personit; fotokopjen e Librezës së energjisë, që vërteton se nuk ka detyrime të papaguara; si dhe një certifikatë familjare.
KOMPENSIMI PËR MBROJTJEN E SHTRESAVE NË NEVOJË NGA RRITJA E ÇMIMIT TË ENERGJISË
- Kush e përfiton:
- Kryefamiljarët që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar në sektorin publik ose të vetëpunësuar në sektorin privat;
- Kryefamiljarët që përfitojnë pension pleqërie shtetëror dhe jetojnë të vetëm ose kanë fëmijë në ngarkim, të cilët janë pa të ardhura.
- Dokumentacioni që kërkohet:
- Deklaratë personale, që ndodhet, pranë Agjencive Lokale të Sigurimeve Shoqërore;
- Fotokopje e kontratës të energjisë elektrike, lidhur midis OSSH-së dhe personit;
- Certifikatë familjare;
- Për fëmijët mbi moshën 18 deri në 25 vjeç, vërtetim që vazhdojnë shkollën.
- Masa e përfitimit: 640 lekë në muaj. Ky shpërblim tërhiqet në postën paguese së bashku me pensionin.
KOMPENSIMI I TË ARDHURAVE MUJORE TË PENSIONISTËVE NË MASËN DERI NË 500 LEKË
- Masa e përfitimit:
- 500 lekë në muaj, për të gjitha pensionet e pjesshme të pleqërisë; b) 500 lekë në muaj, për të gjitha pensionet e plota minimale të pleqërisë;
- Deri në 500 lekë në muaj, për të gjitha pensionet e pleqërisë, që e kanë kufirin deri tek shuma e pensionit të plotë bazë minimal plus 500 lekë, e cila llogaritet si diferencë ndërmjet kufirit të mësipërm me pensionin e caktuar brenda këtij kufiri;
- Kjo e ardhur është pjesë përbërëse e të ardhurave nga pensioni dhe përfitohet së bashku me pensionin.





