Një kërcënim i ashpër i është bërë kreut të Aleancës për Shqiptarët (ASH) në Maqedoni, Zijadin Sela. Kjo ka ndodhur vetëm pak orë pas deklarimit të tij dje se përpara ndryshimeve kushtetuese, duhet bërë një marrëveshje përfundimtare mes maqedonasve dhe shqiptarëve në mënyrë që njëherë e përgjithmonë t’u jepet fund konflikteve të brendshme midis qytetarëve në Republikën e Maqedonisë.

Në një postim të grupit të deklaruar si “Luanët Maqedonas”, në mënyrë të hapur shprehet mllefi i tyre ndaj kërkesës së Zijadin Selës, duke deklaruar se gjatë 27 prillit të përgjakshëm, ai ka kaluar shumë lehtë dhe se është dashur “Kire-ja të ja këpus kokën.”

Nga ASH thonë se me këtë deklaratë, përveç që publikisht shprehet mllefi ndaj kërkesës natyrale të kryetarit të Aleancës, Zijadin Selës, publikisht pranohet se Kire Georgievski, i cili u fotografua duke qarë gjatë gjykimit të 27 prillit dhe në të cilën mbrohej se ka ndihmuar Zijadin Selën, e ka kryer pikërisht atë për të cilën edhe është dënuar.

“Si duket Zijadin Sela vazhdon të jetë target i huliganëve maqedonas, të cilëve nuk u pëlqen deklarimi i Zijadin Selës pro NATO-s dhe BE-së, por me ndryshime kushtetuese në të cilën shqiptarët do të jenë përfundimisht të barabartë me maqedonasit”, janë komentet dhe kundërpërgjigjet e lexuesve shqiptarë në rrjetet sociale, duke komentuar këto kërcënime. Po ashtu bëhet thirrje që organet e rendit menjëherë të ndërmarrin masa për zbulimin e autorëve të këtij grupi që kërcënon me jetë dhe nxit urrejtje. /INA/