Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se homologu i tij, Hashim Thaçi, është politikan më i mirë se ai, duke shtuar se për dallim nga Thaçi, ai nuk flet për detajet apo procesin e negocimeve.
Ai e bëri këtë deklaratë gjatë Forumit Evropian Alpbach në Austri, si pjesë e një paneli të përbërë po ashtu nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nga ai slloven, Borut Pahor, si dhe nga Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn.
“Përndryshe nga Hashimi sepse ai është politikan më i mirë se unë. Unë nuk flas për proces të negocimit. Nuk flas për asnjë detaj. Po negociojmë në mirëbesim dhe shpresoj që ai ta bëjë të njëjtën”, ka thënë ai gjatë diskutimit në paneli.
“Në Beograd do të jetë më vështirë se kudo tjetër” , ka shtuar ai lidhur me arritjen potenciale të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.
“Por duhet të mendojmë për të ardhmen tonë”, përfundoi Vuçiç.