Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar lidhur me akuzat e opozitës, përsa i përket rasteve të fundit të vënies së zjarrit të qëllimshëm në dy çerdhe dhe kazanët e plehrave në kryeqytet, duke theksuar se pavarësisht qëllimit të autorëve, e rëndësishme është mbrojtja e punëve publike dhe mbështetja për zjarrfikësit.

“Ka edhe nga ata, që shyqyr Zotit janë pakica, të cilët thonë ku të gjejmë arsye për të bërë sherr, ku ta gjejmë një zjarr që ka vënë dikush që të themi poshtë qeveria, poshtë bashkia! Kjo nuk është normale! Qyteti duhet të ecë përpara dhe nëse një vandal i vë zjarrin një çerdheje, një kopshti, një këndi lojërash apo një kazani plehrash, minimumi që duhet të bëjmë është të jemi të gjithë bashkë për të ruajtur pronën publike, për t’i dhënë kurajo zjarrfikësve, që i fikin zjarret në pak sekonda, për t’i dhënë kurajo policisë, e cila duhet të gjejë kush janë këta që terrorizojnë qytetin me zjarr. Unë nuk besoj kurrë se opozita ka dorë, por sigurisht ndihem keq kur opozita bëhet me zjarrvënësit, jo me zjarrfikësit. Kjo është për të ardhur keq”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku u shpreh i vetëdijshëm se me afrimin e fushatës së zgjedhjeve të ardhshme vendore lufta politike do të ashpërsohet, por kërkoi prej opozitës që të mos bëjë politikë me fëmijët dhe me njerëzit që punojnë çdo ditë për të ndryshuar qytetin. Ai theksoi se ata që nuk ndërtuan asnjë çerdhe dhe asnjë kopsht për 4 vjet nuk duhet të bëhen me zjarrvënësit por duhet të mbështesin zjarrfikësit. 

Veliaj shtoi se për të parandaluar çdo përpjekje tjetër për të dëmtuar çerdhet, kopshtet apo shkollat, Bashkia e Tiranës ka marrë disa masa shtesë. “Kemi shtuar rojet e Policisë Bashkiake, si dhe rojet e kontraktuara në çerdhe, kopshte e shkolla këtë vit. Do të shtojmë po ashtu pajisjet me kamera, sistemet e alarmit. I kemi trajnuar anëtarët e stafit në të gjitha çerdhet, kopshtet e shkollat për çdo situatë me zjarret, ndaj i bëj thirrje opozitës, bëhu me njerëzit e punës, bëhu me njerëzit e mirë, bëhu me qytetarët, mos hap panik, mos u bëj me rrugaçët, me vandalët, mos inkurajo zjarrvënien, inkurajo zjarrfikësit, ata që shërbejnë, ata që punojnë, ata që e duan qytetin”, shtoi ai.