Ish-kryeprokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla ka depozituar rekurs në Gjykatën e Lartë për sekuestrimin e pasurisë së tij.
Dokumenti është depozituar nga avokati i tij Sokol Hazizaj pranë organit gjykues para disa ditësh, dhe lajmi bëhet i ditur nga vetë Gjykata e Lartë. Në kërkesë ai kërkon heqjen e sekuestros.
Ish-kryeprokurori pretendon se bazuar në nenin 6 të Konventës Evropiane, është zhvilluar proces i parregullt ligjor. Më 9 gusht, gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda vendosi që pasuria e tij të vijojë të mbetet në sekuestro.
Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla u vendos nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, menjëherë pas valës së akuzave që iu drejtuan atij sapo dha dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë shqiptare.
Pasuria e Llallës kapte vlerën e rreth 1 miliardë lekëve dhe mes pronave të sekuestruara përfshihen toka, ara, ullishte dhe një apartament në Tiranë.





