Pasi dështuan me mbjelljen e kanabisit, fermerët e Shqipërisë nuk po mbjellin më as perime. Në pikun e sezonit kur perimet duhet të ishin më lirë se në asnjë stinë tjetër, shqiparët po ushqehen me domate nga Greqia dhe Maqedonia.  

Rritja e kërkesës si rezultat i turistëve dhe emigrantëve që janë kthyer pranë familjeve të tyre, por edhe mungesa e prodhimeve vendase në treg kanë bërë që çmimet të jenë disa herë më lart se normalja e viteve të fundit.

Tregtarët e pakicës bëjnë me dije se domatja vendase mungon në treg ndërsa grosistët e shesin atë me çmim shumë të lartë. Ata thonë se perimet e stinës janë të larta për shkak se ata fermerët që mbollën u është prishur prodhimi në fusha nga lagështira e tepërt e këtij sezoni.  

Konsumatorët shprehen të irrituar pasi jo vetëm që mungon garancia e siguria tek këto prodhime por edhe ato që tregtohen janë me çmime super të larta për stinën.

Nga tregtarët e vegjël mësohet se ka nisur edhe importi i domates nga Greqia e Maqedonia për shkak se prodhimi i pakët në vend nuk mbulon kërkesën.

Por ajo që bie në sy është fakti se jo vetëm domatja ka një çmim mesatar prej 150- lekësh për kg, por çmim shumë të lartë kanë edhe kastraveci, kungulli, speci e patëllxhani për sezonin veror që tregtohen me një çmim prej 100 lekësh për kg. Bishtaja ka shkuar 200 lekë kg, çmime këto që për konsumatorin e thjeshtë janë krejtësisht të papërballueshme.

K.H.