Mali i Zi ka dërguar trupat ushtarake në kufirin me Shqipërinë për të parandaluar fluksin e emigrantëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut.
Lajmi është bërë i ditur zyrtarisht nga Ministria e Mbrojtjes së Malit të Zi.
“Trupat malazeze do të përdoren nga e enjtja për të kontrolluar rajonin kufitar dhe kufirin shtetëror me Republikën e Shqipërisë pranë pikës doganore të Bozhaj. Siguria kufitare do të sigurohet nga patrulla të përbashkëta të policisë dhe Forcave të Armatosura që do të parandalojnë kalimet e paligjshme drejt Malit të Zi, si dhe veprimtari të tjera të paligjshme në rajonin kufitar”, thuhet në njoftimin e Ministrisë malazeze të Mbrojtjes.
Në muajin maj, autoritetet malazeze paralajmëruan se do të ndërtonin një gardh në kufirin me Shqipërinë, pikërisht për të parandaluar kalimin e refugjatëve që vijnë nga Lindja e Mesme. Por ndërtimi i gardhit u anashkalua si opsion dhe u vendos dërgimi në kufi i trupave ushtarake.
Në korrik, Kryeministri hungarez Victor Orban i ofroi homologut të tij malazez ndihmë për të përballuar krizën e migracionit. Sipas Orban, Mali i Zi në këtë mënyrë do të mbrojë jo vetëm territorin e vet, por edhe të Hungarisë dhe të gjithë Bashkimit Europian. Refugjatët e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore, për të shkuar drejt vendeve perëndimore të BE’së, kanë gjetur një rrugë të re, duke kaluar përmes Shqipërisë, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës.
Gjatë vitit të kaluar ka pasur një rritje të numrit të migrantëve në Mal të Zi. Në gjashtë muajt e parë të këtij viti janë regjistruar 2113 persona të ardhur nga Siria , Pakistani, Algjeria dhe Maroku, shifër kjo që është gati dhjetë herë më e lartë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Mali i Zi i ka përgatitur edhe dy vendstrehime për emigrantët e mundshëm nga Lindja e Mesme dhe nga Afrika. Ata janë dy ish baza të ish Ushtrisë Jugosllave në Bozhaj, pranë kufirit me Shqipërinë dhe në Zogaj të Ulqinit./voa