Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se as ai e askush tjetër nga pala serbe nuk e ka të lehtë të bisedojë më Prishtinën, por se ai do të luftojë.
“Njerëzit kryesisht i mbajnë mend ngjarjet nga vitet ’90 apo 2000. Serbët janë ndjekur dhe larguar nga Kosova dhe unë qytetarëve do t’ua bëj me dije disa objektiva”, ka thënë Vuçiç.
Ai ka theksuar se pala serbe do të përpiqet së pari ta ruajë paqen, pastaj të mbrojë interesat dhe të drejtat e njerëzve të saj në Kosovë.
“Si ta realizojmë këtë? Mund t’i themi vetvetes së e tëra është e jona, por ne e dimë se kjo nuk është e vërtetë – ka thënë ai.
Edhe Amerika e Gjermania tashmë na kanë përkufizuar. Madje edhe ata të cilët flasin se janë kundër përkufizimit, ata në të vërtetë janë kundër ndryshimit të kufijve të cilët tashmë janë vënë dhe atë në dëm tonin – ka thënë ai, duke kërkuar që serbët “të jenë të mençur dhe të marrim tërë atë që munden”.
Duke folur për letrën, të cilën ia kanë dërguar kryetarët e komunave serbe të Kosovës, ai ka thënë se kësaj i ka paraprirë presioni dhe fushata e cila është bërë kundër tij.
“Përditë më sulmojnë, sa politikanët të cilët gënjejnë se kanë lindur në Kosovë, sa klerikë. Dalin e thonë ‘arrestojeni Vucicin’. E dini se kjo mund të ndodh vetëm me gjakderdhje, por në këtë askush nuk reagon”, ka thënë ai në Ditarin e RTS-së.
Vuçiç ka thënë se me 9 shtator do të udhëtojë në Kosovë, ku do të paraqesë detaje të planit të tij për Kosovën.