Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë, ka njoftuar se sot është detektuar prania e virusit të Nilit Perëndimor te pacienti i shtrirë në Klinikën Infektive të QKUK.
“Ekipet e Departamentit të Epidemiologjisë prej fillimit të korrikut në nivel qendror dhe periferik janë në gjendje gadishmërie për të identifikuar dhe raportuar ndonjë rast individual të sëmundjes. Laboratoret e Institutit Kombëtar janë të gatshme të pranojnë mostra dhe të diagnostikojnë rastet e sëmundjes”, njofton Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.
Një person ka ndërruar jetë në Kosovë, si pasojë e virusit “Nil”, që është përhapur në Evropë.
Lajmin për Radion Evropa e Lirë e ka konfirmuar drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, duke shtuar se deri më tani dy pacientë janë diagnostikuar me këtë virus.
“Një person ka vdekur nga virusi ‘Nil’, për të cilin është konfirmuar në laborator se ka bartur këtë virus dhe një person tjetër që ka pasur këtë virus tashmë është shëruar”, tha Ramadani.
Përhapja e këtij virusi në Evropë ka lënë të vdekur 17 persona, prej të cilëve nëntë janë nga Serbia dhe tre nga Greqia.
Simptomat e këtij virusi janë temperaturë, marramendje, vjellje, dhembje e trupit si dhe ënjtje të gjendrave limfatike dhe përhapet nga pickimi i mushkonjave të infektuara./REL