Gjatë ditës së sotme, njëri nga autobuzët e linjës urbane Durrës-Plepa qarkullonte me xham të thyer. Fotot e mbërritura në redaksinë e DurrësLajm dëshmojnë se si njëri nga xhamat në anën e djathtë të urbanit është tërësisht i thyer. Madje copa të tij ndodheshin ende poshtë sediljeve të mjetit.
Por ndërsa nuk dihen arsyet se pse xhami është thyer (dyshohet se ai është thyer nga persona të tretë), pasi në policinë e Durrësit ende nuk është denoncuar rasti në fjalë (të paktën deri më tani), thyerja e tij ishte një fat i madh për udhëtarët.
Të gjithë që patën rastin të udhëtonin sot me autobuzin në fjalë, udhëtuan pa u kulluar djersët. Madje, sipas dëshmitarëve, disa shtetas të huaj që duken edhe në njërën nga fotot, nënvizuan të buzëqeshur sapo u futën në autobuz se do të udhëtonin pa plasur vape dhe zgjodhën për t’u ulur pikërisht pranë dritares së thyer.
Në këto ditë me temperatura përvëluese, frekuentimi i linjave urbane është një stres më vete, prej vapës së krijuar.
Vlen të përmendet se ky është incidenti i dytë në 48 orët e fundit me autobuzët e linjave urbane në Durrës.
Një ditë më parë, DurrësLajm, duke iu referuar burimeve policore, njoftoi për arrestimin e një shoferi autobuzi, pasi një pasagjere 23-vjeçare kishte rënë nga dera e hapur.