Temperaturat e larta të shënuara ditët e fundit rrezikojnë rënien e zjarreve në disa qarqe.
Më të rrezikuara janë qarqet, Shkodër, Lezhë, Dibër, Korçë dhe Gjirokastër. Përballë kësaj situate që paraqet gjeoshkenca, Ministria e Mbrojtjes deklaron se forcat e armatosura janë në gatishmëri të plotë dhe në të njëjtën kohë kanë rritur edhe kapacitetet për shuarjen e zjarreve
Rreziku nga zjarret në këto ditë ku temperaturat kanë shënuar rritje të ndjeshme, mbetet evident. Instituti i Gjeo-shkencave publikon një raport të detajuar duke dhënë informacion mbi qarqet më të rrezikuara nga rënia e zjarreve. Sipas këtij raporti, në Gjirokastër dhe Korçë rreziku është më i ulët.
Por në zona të lokalizuara mund të ketë nivel më të lartë rreziku, konkretisht qarku Shkodër, Lezhë, Dibër, Korçë dhe qarku Gjirokastër.
Ndërkohë edhe Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, në një deklaratë të publikuar në rrjetin social Facebook shprehet se Forcat e Armatosura të Drejtorisë Operacionale janë në gatishmëri të plotë për të përballuar çdo emergjencë që mund të vijë nga shkaqe natyrore.
Ajo shprehet se Drejtoria e Emergjencave Civile ka qenë këto ditë në kontakt të drejtpërdrejtë me specialistët e Emergjencave Civile në Prefektura, drejtuesit dhe përfaqësuesit e Njësive të Qeverisjes Vendore, si dhe me pika të tjera të kontaktit në nivel qendror dhe vendor. Në të gjithë territorin e vendit nuk ka pasur ngjarje të jashtëzakonshme apo premisa për ndodhjen e tyre.
Më pas ajo shton se së bashku me Forcat e Armatosura do të jenë në ndihmë të strukturave të pushtetit vendor, për të ndihmuar në rast të situatave të zjarreve. Nga ana tjetër u bënë apel qytetarëve, të bashkëpunojnë, që të shmangim pasojat që mund të sjellin fatkeqësi të ndryshme, veçanërisht në këto ditë të nxehta si edhe të rrisin përgjegjësinë e tyre individuale.
Ministrja e Mbrojtjes thotë se këtë verë Forcat e Armatosura kanë rritur edhe kapacitetet për shuarjen e zjarreve gjatë këtij sezoni veror. Helikopterët Cougar të Forcës Ajrore janë pajisur me kova të posaçme për shuarjen e zjarreve, me kapacitet 2500 litër secila





