Sfida “Kiki Challenge – Do you love me” është bërë këtë verë më e përhapura në rrjetet sociale. Këtë sfidë argëtuese e ka përdorur ditën e sotme kryebashkiaku Erion Veliaj për të përcjellë një mesazh sensibilizues, i cili u bë viral në rrjet.

Bashkia e Tiranës ka zgjedhur një mënyrë origjinale për të ndërgjegjësuar drejtuesit e automjeteve, duke shfaqur në tabelat në rrugët hyrëse të qytetit tekstin: ‘Lidhe rripin Kiki, Drake do të të mirëkuptojë’.

Këtë mesazh, kryebashkiaku Veliaj e ka nxjerrë në “Twitter”, duke këshilluar jo vetëm të rinjtë e fiksuar pas sfidës së famshme të këngëtarit Drake, por të gjithë qytetarët. Veliaj shprehet se të gjithë duhet ta lidhin rripin e sigurimit.

“Buckle up, Kiki! 

Drake will understand! 

Të besh #KikiChallenge me kërcim jashtë makinës që ecën, duket shumë gallatë, gjersa ndodh hataja! 

Na duhesh të kërcesh më gjatë, ndaj vendose rripin e rri në makinë shoku! 

#InMyFeelingsChallenge , shkruan kryebashkiaku krahas fotos.

Kohët e fundit të gjithë njerëzit anembanë botës janë bërë pjesë e sfidës së Drake, me këngën “In my feelings”. Teksa makina ecën ngadalë, njerëzit dalin jashtë dhe teksa ecin krahas mjetit, xhirojnë veten duke kërcyer e kënduar. Mirëpo, një veprim i tillë është shumë i rrezikshëm për jetën.