Gjatë promovimit të nismës "Aleanca për Dhurimin e Gjakut" në qytetin e Shkodrës, Presidenti Ilir Meta, iu përgjigj pyetjeve lidhur me kthimin e dy pr/ligjeve, atë të Teatrit Kombëtar dhe tatimit mbi të ardhurat, që ka të bëjë me lojërat e fatit.

"Kuvendi ka detyrimin t’i rishqyrtojë, të reflektojë. Unë besoj se ruajtja e gjithçkaje që ka të bëjë me trashëgiminë kulturore, historike, muzeale, është detyrë e të gjithëve. Për fat të keq në të kaluarën nuk jemi treguar të kujdesshëm ndaj këtyre vlerave, kemi dëmtuar shumë prej tyre," tha Presidenti.

Gjithashtu Meta e quajti të papranueshme deklaratën "më mirë pa gjykata fare sesa me gjykata të korruptuara". Ai nënvizoi se është i domosdoshëm bashkëpunimi mazhorancë-opozitë për ti dhënë fund paralizimit të institucioneve të reja të drejtësisë.

"Presidenti nuk mund të qëndrojë indiferent apo të qëndrojë në heshtje për çeshtje që krijojnë probleme në raport me parimet kushtetuese," u shpreh Meta.