Specialistët për krimet në komisariatin e policisë Durrës filluan procedimin penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetases M.Zh. 41 vjeçe, banuese në Tiranë.
Procedimi filloi pas denoncimit të kryer ditën e sotme në Komisariatin Dixhital, për ndotje të detit.
Menjëherë nga ana e efektiveve të stacionit të policisë Manëz, u ushtruan kontrolle dhe afër grykderdhjes së kanalit ujëmbjedhës të hidrovorit në fshatin Hamallë, njësia administrative Sukth u konstatua se një firmë ndërtimi, punimet zbatuese të së cilës drejtoheshin nga shtetasja M.Zh, po gërmonte e pastronte kanalin duke i hedhur ujërat e pastrimit në det dhe ndotur atë.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar mjeti që shërbente për gërmimin dhe dokumentacioni i firmës së ndërtimit.
Të gjitha veprimet hetimore janë kryer në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës duke referuar materialet për veprën penale "Ndotja e ujërave" parashikuar në nenin 203 të Kodit Penal.





