Rreziku nga ataku kardiak në këto ditë të nxehta vere është shtuar kryesisht tek të sëmurët kronikë që i drejtohen plazhit. Arben Beja, kryeinfermier pranë Shërbimit të Urgjencës, në Spitalin Rajonal të Durrësit, tha se përgjatë muajit korrik janë hasur raste të shumta të atakut kardiak, raste këto që vijnë si rezultat i ndryshimeve të menjëhershme të temperaturës nga rëra në det. Është pikërisht mosha e tretë ajo që duhet të njohë më mirë gjendjen e vet shëndetësore, me qëllim që të shmangen rreziqet që u kanosen nga qëndrimi në plazhe.
Numri i pushuesve që kanë humbur jetën në det, në plazhet e rajonit të Durrësit, edhe këtë vit, për fat të keq ka qenë i lartë. Krahas humbjeve të jetës, që kanë ardhur si pasojë e aksidenteve apo edhe nga fakti se viktimat nuk kanë ditur not, nuk kanë qenë të pakta rastet kur viktimat janë treguar të pakujdesshëm për gjendjen e tyre shëndetësore apo për mënyrën se si duhet t’i përqasen detit.
K.H.





