Në një bashkëbisedim me gazetarët, ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, ka komentuar raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Shqipërinë.
Ahmetaj tha se korrupsioni është një ndër problematikat më të mëdha të biznesit. Ai iu përgjigj kritikave për koncesionet e PPP të raportit të DASH, duke thënë se Partneriteti Publik Privat përdoret në të gjithë botën.
“Raporti thekson domosdoshmërinë e klimës së biznesit dhe tërheqjes së invenstimeve të huaja. Në raport ka referenca për korrupsionin në drejtësi. Një nga paragrafët e raportit i referohet korrupsionit në drejtësi si një nga problemet kryesore të prishjes së të bërit biznes. Ka plot probleme e çështje për t’u përmirësuar në ambientin ekonomik shqiptar. Dua të tërheq vëmendjen te mjedisi politik e siguria. Sot violenca politike është e rrallë. Zgjedhjet në vitin 2017 ishin të qeta, si rrallë më parë.
DASH sjell në vëmendje vrasjen e protestuesve në vitin 2011. Për më tepër DASH vë theksin tek prokurimet publike dhe PPP. Partneriteti Publik Privat stigmatizohet, përdoret në të gjithë botën, nuk u shpik në Shqipëri,” tha Ahmetaj.





