Shtyhet sërish pretenca për Emiljano Shullazin dhe grupin e tij. Shkak edhe këtë herë u bë mungesa e mbrojtësve, ndërsa seanca e radhës do të zhvillohet më 11 shtator.

Gjyqi për Shullazin dhe grupin është në fazën e konkluzioneve përfundimtare, të cilat shtyhen për të 5-n herë.

Të pandehurit Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Besmir Shullazi, Endrit Qyqja, Endrit Zela akuzohen për disa vepra të rënda penale, të kryera në periudhën 2014-2016, për të cilat rrezikojnë denime deri në 15 vite burg.

Veprat penale

-“Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, në dëm të shtetasve Ylvi Beqja, Jani Zaka dhe Adriatik Kërçuku

-Kanosje për shkak të detyrës, në dëm të shtetasve Mynyr Kone dhe Dhori Kule

-“Shkatërrim prone me eksploziv”, në dëm të pronës së shtetasve Jani Zaka dhe Adriatik Kërçuku

-“Grup i strukturuar kriminal”

-“Veprime në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”

Prokuroria i akuzon të pandehurit se duke vepruar si grup i strukturuar kriminal kanë shtrënguar me anën e kanosjes shtetasin Ylvi Beqja dhe ky i fundit i kaloi në pronësi Emiljano Shullazit një pjesë të ish-hotel "Vollga" në Durrës, si edhe shuma të konsiderueshme monetare.