Viktor Ceko është shqiptari i parë i cili zyrtarisht humbi jetën si pasojë e zjarrit biblik që goditi rëndë Greqinë disa ditë më parë.

59-vjeçari me origjinë nga Narta e Vlorës qëndronte prej pak ditësh në spital, por për shkak të plagëve nuk mundi të mbijetojë. Pas lajmit për vdekjen e tij, shumë fqinj të Cekos në Vlorë kanë folur për median.

Në një dëshmi për Report tv, fqinjët e viktimës kanë treguar se 59 vjeçari ishte një njeri punëtor dhe jetonte në Greqi që prej vitit 91’.

“E njoh si njeri të rregulltë, si njeri punëtor. Ka punuar në kooperativë. Ai vajti tek zjarret, nxorri fëmijët edhe gruan, vajti brenda në shtëpi të merrte diçka tjetër, aty e qëlloi flaka. Shtëpia u dogj e gjitha, kishte një fermë të vogël se ishte punëtor i madh.”-tha njëri prej fqinjëve.

"Viktori si gjithë të tjerët, e kapi zjarri, u kthye për të ndihmuar një grua greke, se e kishte burrin invalid. Gruaja i tha “Viktor, kthehu se do digjesh”. Ne ishim në dijeni të djegies se kemi folur 2-3 ditë.

Tani e morëm vesh, jemi shumë të shqetësuar për gruan dhe fëmijët. Viktori ishte djali më i mirë në lagje, punëtor. Kjo është shtëpia ku ka lindur dhe u rrit deri në vitin 1991.”- tha fqinji tjetër i 59 vjeçarit. /report.tv