Në nder të heroinës kombëtare apo e quajtur ndryshe si nusja e maleve Shotë Galica, një nga rrugët kryesore të zonës së plazhit mbanë emrin e saj. E në fakt, kur mirënjohja dhe respekti nuk duhet të mungojë për këtë figurë të lartësuar, krejt e kundërta ndodh jo më larg se 1 kilometër nga vija bregdetare, në zonën e plazhit në Durrës.
Rruga “Shote Galica” prej vitesh nuk njeh investim, ndërsa i vetmi detaj që theksohet çdo ditë e më tepër janë gropat e mëdha, të paevitueshme në të gjithë gjatësinë e saj. Banorët tregojnë se para disa vitesh, vetëm për faktin se mban emrin e Shote Galicës, kjo zonë pushtohej nga pushuesit kosovare, të cilët qëndronin për ditë me radhë në këto banesa në anë të rrugës.
E ndërsa sot kjo gjë nuk ndodh, madje banorët kanë kohë që nuk shohin më pushues të afrohen në këtë zone. Motivi është fare i qartë, degradimi i rrugës. Në verë mbizotëron pluhuri e ndërsa në dimër nuk mund të qarkullojë askush, pasi nuk funksionojnë kanalizimet.
Banorët kanë humbur çdo shpresë për rehabilitimin e saj, pasi në çdo fushatë elektorale premtimet nuk kanë munguar por kanë mbetur në letër.





