Reshjet e sotme të shiut kanë prekur të gjithë Shqipërinë.
Shumë pushuesve u “janë prishur” pushimet këtë të hënë, ndërsa dhjetëra qytetarëve u janë dëmtuar shtëpitë, bizneset e madje dhe makina.
Situata nuk ishte e mirë Durrës, ku pak orë shi kanë mjaftuar për t'i kthyer rrugët e qytetit në një vaskë të madhe uji. Fotot e mëposhtme tregojnë sesi makinat “notojnë” nën ujë.
Ndërkohë në autostradën Tiranë- Durrës është krijuar trafik me vargun e makinave që shkonin deri në 5 kilometra të gjatë. Deri më tani nuk është raportuar për ndonjë aksident rrugor.

Trafiku është bllokuar vetëm në kahun drejt Tiranës, duke sinjalizuar kështu se shumë pushues kanë vendosur të kthehen në kryeqytet.
Në Vlorë, stuhitë e erës nuk kanë kursyer “Lungomaren”, pasi shumë biznese atje janë përballur me një erë mjaft të fortë që ka shkaktuar dëme materiale.
Një ditë mjaft të keqe kanë patur banorët e një fshati në Korçë, atje ku makinat janë gllabëruar nga rryma e ujit. Në fshatin Goskovë kanë mjaftuar rreth 30 minuta shi për të shembur shtëpi, pemë e çfarë i ka dalë përpara forcës së natyrës.

Një ngjarje tjetër është regjistruar në qytetin e Fierit, atje ku era e fortë ka mundur të shkulë pemët nga vendi i tyre.





