Nuk nxori fitues madje nuk prodhoi qoftë një gol miqësorja e zhvilluar në Korçë mes Skënderbeut dhe Teutës, ku përballë njërit-tjetrit në rolin e trajnerit në stolat respektivë ishin dy miq të vjetër, Orges Shehi dhe Bledi Shkëmbi.

Ndonëse Skënderbeu e nisi sfidën me një organikë ndjeshëm më cilësore, nuk e pati qartësinë e duhur në fazën sulmuese për të konkretizuar aksionet.

Për ekipin durrsak, që ka bërë ndryshime të mëdha krahasuar me skuadrën që mbylli sezonin, mund të konsiderohet një rezultat pozitiv, sepse kishin përballë një kundërshtar ekspert.

Skënderbeu para testit me Teutën kishte fituar 2-0 me Maliqin dhe barazuar 0-0 me Renovën, ndërkohë që Teuta, mposhti Kastriotin 4-1. Mes emocioneve dhe batutave e kaloi deklaratën pas ndeshjes Bledi Shkëmbi. Trajneri i Teutës nuk i kurseu elozhet për Skënderbeun, ndërsa thekson se skuadra e tij do të ecë përpara.

“Të them të drejtën u ndjeva shumë mirë. Pata shumë emocione kur pashë tribunën e mbushur plot. Shehi? Ndamë nga një pikë (qesh). Ishte pak e çuditshme, pasi deri pak kohë më parë luanim të dy. Por m’u bë qejfi që edhe ai e nisi shpejt rrugën e trajningut dhe i uroj suksese.Sa i përket ekipit, jam i kënaqur, pasi dhanë maksimumin. Kemi nevojë për afrime, gjithsesi. Na mundoi disi fakti që luanim kundër Skënderbeut. Çdo ekip i ri në moshë, do vuante në minutat e para. Ata kanë ruajtur boshtin dhe në mbrojtje mendoj se janë më të mirët”, përfundoi Shkëmbi.