Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka nisur një valë inspektimesh në të gjithë vendin pranë institucioneve arsimore, si pjesë e paketës “Siguria në shkolla” në prag të vitit të ri shkollor. Ky aksion bazohet në kërkesat e ligjit “Për ushqimin” dhe ligjit të inspektimit, duke vendosur në sitë bizneset ushqimore që operojnë rreth e rrotull sistemit parauniversitar.

Plani i kontrolleve përfshin një gamë të gjerë subjektesh, që nga pikat e tregtimit si fast-food-et, byrektoret, piceritë dhe marketet, e deri te çerdhet, kopshtet apo shkollat ku ushqimi përgatitet direct në ambientet e tyre.

Gjatë inspektimeve, trupa kontrolluese po verifikon me rreptësi kushtet higjieno-sanitare, afatet e përdorimit të produkteve dhe garantimin e gjurmueshmërisë së tyre. Një vëmendje e veçantë po i kushtohet kontrollit të etiketimit, si dhe marrjes së mostrave për analiza fiziko-kimike dhe mikrobiologjike në laborator.

Përveç kontrolleve teknike, AKU do të ndërmarrë edhe fushata ndërgjegjësuese me operatorët e biznesit ushqimor për zbatimin e rregullave. Paralelisht, do të zhvillohen aktivitete informuese me vetë nxënësit në shkolla, me qëllim orientimin e tyre drejt zgjedhjeve të sigurta ushqimore.