Liderët demokratë Sali Berisha dhe Lulzim Basha, së bashku me përfaqësuesit lokalë të PD-së, iu bashkuan homazheve dhe vendosën kurora me lule pranë trupit të aktorit Fadil Hasa.
“Partia Demokratike humbi aktivistin e saj të orëve të para, Shqipëria humbi artistin, dhe Durrësi qytetarin model, ndërsa familja babanë shembullor”, ishte mesazhi që përcolli Lulzim Basha për mediat.
Në sy ra mungesa e ministres së Kulturës Mirela Kumbaro, e cila në Durrës vjen shpesh për vizita të ndryshme, ndërsa nuk u duk në organizimin e homazheve që bëri bashkia e Durrësit.
Pas një sëmundjeje të rëndë, Artisti i Merituar Fadil Hasa u shua dje në moshën 78-vjeçare në shtëpinë e tij. Fadil Hasa hyri në 1974-n në trupën e estradës profesioniste të teatrit “Aleksandër Moisiu” duke shenjuar me qindra role në skenë.





