12 lëkundje të reja sizmike janë regjistruar nga ora 02.09 deri në 10.30 e së premtes, në Shqipëri, të gjitha të përqendruara në rajonin e Durrësit.

Epiqendra e pjesës më të madhe të tyre ka qenë Gjiri i Lalzit.

Lëkundja e parë e së premtes, e regjistruar në orët e para të mëngjesit ka pasur manjitudë 2 ballë, me epiqendër Gjirin e Lalzit.

Ndërkohë, tërmeti më i fortë i ditës së sotme ka qenë ai i orës 10.23 me manjitudë 3 ballë, po në Gjirin e Lalzit.

Megjithëse ka pasur edhe lëkundje që variojnë 1.7 apo 1.8 ballë, thuajse të papërfillshme për sizmiologët, tërmetet që vazhdojnë të pasojnë ata të datës 4 korrik dëshmojnë se shtresat tektonike janë ende të pastabilizuara.

Vlen të theksohet se tërmetet e ditëve të fundit, me epiqendër në Gjirin e Lalzit, u politizuan gjatë ditës së sotme, kur ish-kryeministri Berisha publikoi denoncimin e një qytetari dixhital, sipas të cilit tërmetet në këtë zonë shkaktohen pasi një firmë e lidhur me kreun e ekzekutivit Edi Rama ka hapur në Gjirin e Lalzit një gropë shumë të thellë dhe më pas e ka mbyllur atë.

Në mesazh thuhej se “njerëz të zonës flasin për një gropë gjigande që është mbyllur së fundi dhe ku po ndërton një firmë e lidhur me Kryeministrin Rama”.