Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës njofton se ndalimi më datë 10.07.2018 i punonjësit të policisë Haki Dyli, caktuar me detyrë shërbimi në sigurinë e godinës së gjykatës nga Policia e Shtetit, është bërë për llogari të procedimit penal të nisur mbi bazën e kallëzimit të Kryetares, Joana Qeleshi.
Kallëzimi u krye nisur nga dyshimet se punonjësi i policisë Haki Dyli merrte para në emër të gjyqtarëve dhe prokurorëve, pa dijeninë e këtyre të fundit, duke premtuar dhe mashtruar qytetarët mbi zgjidhjen në favor të tyre të çështjeve gjyqësore.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës thotë në njoftimin e saj se “dënon me forcë çdo veprim të paligjshëm të kryer në dëm të qytetarëve dhe punonjësve të drejtësisë, duke treguar vendosmëri në denoncimin e çdo rasti të ngjashëm, me qëllim garantimin e zbatimit të ligjit, shtetit të së drejtës dhe rritjes së besimit të publikut në sistemin e drejtësisë”.
Gjykata i bën thirrje kujtdo të cilit mund t’i jetë premtuar apo kërkuar çfarëdolloj shpërblimi i paligjshëm në emër të gjyqtarëve, prokurorëve apo administratës gjyqësore, të paraqesë kallëzim pranë organeve kompetente.
Së bashku me inspektorin Haki Dyli, 60 vjeç, punonjës policie me detyre trupë shërbimi në Sigurinë e godinës së Gjykatës Durrës, u arrestua dhe Devis Qana, 40 vjeç, Avokat, pranë Dhomës së Avokatisë Tiranë.
“Ndalimi i tyre u bë në kuadër të një procedimi penal nisur disa muaj më parë, për veprën penale ‘Ushtrim i ndikimit të paligjshëm, ndaj personave që ushtrojnë funksione publike’”, thuhej në njoftimin e bluve një ditë më parë.





