Kryeministri Edi Rama ndodhet në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Londër, nga ku ka komentuar disa nga çështjet më të rëndësishme të rajonit, mes të cilave edhe marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Në një intervistë për IBNA, Rama thotë se takimi me homologun grek Aleksis Tsipras do të mbahet së shpejti, nga ku pritet edhe finalizimi i marrëveshjes.

Sipas Ramës, marrëveshja Maqedoni-Greqi dhe ajo që pritet të formalizohet mes Tiranës zyrtare dhe Athinës, tregojnë se vendet e rajonit kanë vullnet për të zgjidhur çështjet dhe për të ecur në rrugën drejt BE-së.

INSTERVISTA:

Z. kryeministër, cilat janë pritshmëritë tuaja në lidhje me procesin e integrimit të Shqipërisë në BE?

Është një proces që vazhdon. Kemi bërë një hap të rëndësishëm përpara për çeljen e negociatave, sepse kemi marrë vetëm datën për çeljen e negociatave vitin e ardhshëm.

Por kemi hyrë edhe në një proces mjaft të rëndësishëm të fazës analitike, që normalisht është faza që fillon pas çeljes së negociatave.

Pra, është një lloj zgjidhje pozitive për të mos humbur asnjë minutë dhe për t’i shfrytëzuar këto 12 muaj në funksion të gjithë procesit analitik.

Pas marrëveshjes së arritur mes Greqisë dhe Maqedonisë, tani po presim edhe arritjen e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Greqisë. Kur parashikohet takimi juaj me kryeministrin Aleksis Tsipras?

Besoj se ky takim do të jetë së shpejti.

Çfarë prisni në lidhje me zgjidhjen e çështjeve mes Kosovës dhe Serbisë?

Zgjidhjet e deritanishme midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, por edhe zgjidhja mes nesh dhe Greqisë janë një tregues mjaft i qartë se aty ku ka vullnet, ka dhe një rrugë për zgjidhje.

Pavarësisht se zgjidhja midis Serbisë dhe Kosovës nuk është e lehtë, unë jam besimplotë se ajo do të vijë.