Dy persona kanë shpëtuar për mrekulli nga mbytja ditën e sotme në plazhin e Golemit. Një 14-vjeçar ishte futur për t’u larë, por mbeti mes dallgëve dhe rrezikoi që të mbytej, ndërkohë që për ta shpëtuar shkoi kushëriri i tij 44-vjeçar me kamerdare.

Por të dy rrezikuan mbytjen, pasi u bllokuan nga dallgët, ndërsa në ndihmë të tyre shkoi një person i tretë po kushëriri i tyre duke i shpëtuar. Report Tv sjell pamjet ekskluzive të momentit kur dy kushërinjtë nga Berati ishin në rrezik për jetën, në luftë me dallgët dhe ndërhyrjen deçizive të të tretit për t’i shpëtuar.

Fillimisht nga deti doli 44-vjeçari, ndërsa më pas personi i tretë që hyri për t’i shpëtuar nxori 14-vjeçarin Anduel Gllava me shumë vështirësi deri në mol. Fatmirësisht 14-vjeçari nuk ishte shumë larg bregut duke u shpëtuar. 44-vjeçari shprehet se hyri për të shpëtuar djalin, por rrezikoi të mbytet edhe vetë. ‘Jemi nga Berati, u futa për ta ndihmuar se e mori uji atë çunin e vogël’ u shpreh 44-vjeçari pas daljes në breg.

Report Tv mëson se dy personat janë dërguar në spitalin e Kavajës ku kanë marrë ndihmë mjekësore dhe janë larguar në gjendje të mirë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 të ditës së sotme pranë një resorti. Të tre kushërinjtë janë nga Berati. Ndërkohë që në Golem mungojnë rojet e plazhit, por edhe flamujt e kuq dhe kufizuesit me litar për të respektuar thellësinë.

/Shqiptarja.com/