A i duhet Durrësit në mes të sezonit turistik një imazh si ky që paraqitet në foto, me rrugë të ndotura nga lëngjet e plehrave, dhe duke kundërmuar erë të rëndë? Sigurisht që jo! Në asnjë ditë të vitit, por akoma edhe më shumë tani që jemi në kulmin e sezonit, e turistë nga mbarë bota vizitojnë qytetin antik.
E gjithë kjo panoramë e shëmtuar, e shoqëruar nga era e qelbur, ndodh në rrugë të shumta në qytet, e po ashtu nuk mungon as në shëtitoren “Taulantia”, në zonën aq shumë të njohur si “Vollga”. Aty ku ndal frymën çdo pushues.
Kamionët që mbledhin mbeturinat nga koshët e plehrave, përhapin më pas në rrugë dhe lëngjet e akumuluara nga plehrat e ndryshme. Ato ngjisin në rrugë, kjo e fundit kthehet harta-harta si e lyer me bojë të zezë, dhe e bën të pamundur kalimin në atë lloj zone.
Qytetarët që denoncojnë në “DurrësLajm” problemin që shohin shpesh në qytetin e tyre, thonë se detyrohen të zënë hundët me duar kur kalojnë aty.
Po ashtu, ata iu bëjnë apel dhe instancave vendore që të marrin masa që një situatë e tillë të shmanget, dhe Durrësi të jetë sa më i pastër, si për banorët që jetojnë këtu gjithë vitin, ashtu dhe për ata që na sjellin të ardhura për të kaluar pushimet në vendin tonë!
S.L.





