Një ditë pas akuzave të kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla nga foltorja e Kuvendit se Lulzim Basha kishte dalë në foto me vëllain e dy të akuzuarve si pritës të 3.4 milionë eurove të kapura në portin e Durrësit, vetë lideri demokrat Basha bëri thirrje për arrestimin e tij, nëse është i dyshuar.
“Parashtrimi i fotos vërteton vetëm se Balla është kapobanda dhe se e ka marrë atë nga banda e Elbasanit. Unë takoj me mijëra njerëz si politikan. Nuk e mbaj mend dhe nuk më ka prezantuar njeri me atë person. Është apo nuk është ai këtë nuk mund ta them unë, një gjë është e saktë. Nëse është ai ta marrin dhe ta arrestojnë, tani. Ta marrin ta arrestojnë tani në këtë moment, në qoftë se ky është i dyshuari. Jo nuk e mbaj mend, disa thonë se mund të ketë qenë në kuadër të një fushate për zgjedhjet në Dibër, por e kam të pamundur sepse takoj me mijëra njerëz. Personi në fjalë nuk më thotë asgjë, por edhe një herë, nxjerrja e kësaj fotoje vërteton se Taulant Balla është garantuesi i kalimit të parave të bandës së Elbasanit. E dyta, policia është njoftuar nga partnerët dhe e treta këto janë para droge që pastrohen me bekimin e kupolës së PS”, tha Basha të premten në një prononcim për mediat para selisë blu, në përgjigje ndaj akuzave të Ballës.
Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg të enjten për katër të arrestuarit e 3,4 milionë Eurove që u bllokuan në dy Toyota Yaris në portin e Durrësit. Ndërkohë që në kërkim janë shpallur vëllezërit Elvis dhe Alfred Vladi.
Të enjten në Kuvend, Balla akuzoi Bashën për lidhje me pritësit e 3.4 milionë eurove të kapura në Durrës, pasi dispononte një foto ku kreu i demokratëve shfaqej me vëllanë e tyre.





