Pasi paralajmëroi se të enjten do të nxirrte prova nga salla e Kuvendit, Taulant Balla tregoi sot një foto me anë të së cilës pretendon se shfaqet vëllai i dy porositësve të “Toyota”-ve me 3.4 milionë euro, në zyrën e kryetarit të PD-së Lulzim Basha.

“Ja ku je Lulzim me vëllanë e personave në kërkim për drogë, për paratë. Ja ku e ke. Ja ku je Lulzim me vëllain e dy personave E.V dhe A.V të shpallur në kërkim si pritës të parave. Ja ku e keni në zyrën e Lulzim Bashës. I vëllai me iniciale A.V. Vëllai i dy personave që prisnin paratë në zyrën e Lulzimit. Toyotën kam frikë se mos e prisje ti mor Lulzim, dyshoj. A i shërbeu Lulzim Basha këtyre djemve, vëllait të mikut të Lulzimit në zyrë të Lulzimit, kjo është një çështje që i takon drejtësisë. Unë këtë provë do ja dorëzoj sot drejtësisë siç bëra dje. Kjo është prova se ky derdimen që e keni bërë kryetar partie është jo i paaftë, por është një budalla që njofton vëllanë e mikut nga foltorja e Kuvendit që mos t’i bjerë nga Ankona, por nga Bari, kjo është prova”, tha Balla.

 Ndërkohë Basha u largua nga seanca menjëherë pasi mbaroi fjalën e tij në foltore. Në replikë Edmond Spaho u shpreh: “Taulant shiko hetimin se mos të dalë gjë”.

Në portin e Durrësit më 24 qershor u sekuestruan 3.4 milionë euro të cilat ishin fshehur në dy makina të tipit “Toyota”. Në lidhje me ngjarjen janë arrestuar 4 persona, dhe dy janë shpallur në kërkim.