Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha doli në një deklaratë për mediet një ditë pasi ministrat e Jashtëm të BE-së vendosën hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë në qershor të vitit 2019 nëse plotësohen kushtet e paracaktuara, dhe tha se qeveria Rama po mashtron shqiptarët. Sipas Bashës, e vërteta është krejt tjetër.

“E vërteta është se negociatat nuk janë hapur, por se ka mundësi të hapen në vitin 2019 nëse plotëson kushtet…Qeveria, Edi Rama, makina e saj e propagandës ka zgjedhur të mashtrojë shqiptarët. Këshilli Europian nuk do ta shqyrtojë fare nesër çështjen e hapjes së negociatave dhe e ka shtyrë këtë vendimmarrje të paktën për një vit për në qershor 2019”, tha Basha.

Lideri demokrat tha se nuk ka as vendim për hapjen e negociatave, as datë për hapjen e negociatave.

“Janë 3 hapa për t’u ndërmarrë deri në vendimin e qershorit 2019. Do të ketë një tjetër raport nga Komisioni për përmbushjen apo jo të kushteve që i janë vënë Shqipërisë; Hapja e negociatave do të duhet të diskutohet nga parlamentet e atyre vendeve që e kërkojnë këtë procedurë për të autorizuar apo këshilluar qeveritë përkatëse; Vetëm nëse vendet anëtare konsiderojnë se Shqipëria i ka përmbushur kushtet atëherë do të futet në axhendën e vendimmarrjes në Këshillin Europian në qershor 2019.”

Basha shtoi se “moshapja e negociatave është refuzim ndaj krimit dhe korrupsionit që ka pushtuar Shqipërinë nën qeverisjen Rama, është refuzim personal ndaj Edi Ramës dhe klikës së inkriminuar që sundojnë mbi shqiptarët. Është refuzim i Saimir Tahirit, Fatmir Xhafajt, Taulant Ballës, Damian Gjiknurit, Arben Ahmetajt, Vangjush Dakos, Qazim Sejdinit, Elvis Rroshit, dhe kupolës politike të PS, pothuajse e gjitha e lidhur me krimin dhe me drogën.”