Kreu demokrat Lulzim Basha deklaroi pas mbledhjes së grupit në lidhje me shumën e 3.4 milionë eurove të sekuestruara në portin e Durrësit, se paratë janë të një prej bandave më të rrezikshme të trafikut të drogës aktive kryesisht në Elbasan, por dhe në gjithë Shqipërinë.
“Sot dua të them tre gjëra, e para që paratë janë të një prej bandave më të rrezikshme të trafikut të drogës në Elbasan, por edhe në gjithë vendin, Balla kishte marrëveshje për të lejuar futjen e tyre dhe së treti se policia shqiptare ishte nën presionin e një prej partnerëve për të vepruar, vend skeptik për integrimin e vendit tonë në BE”, tha Basha.
Basha ka theksuar se plani është dekonspiruar.
“Po plani i Ballës dhe strukturave brenda policisë së shtetit dhe kuvendit për të cuar këtë bashkëpunim me bandën kryesore të Elbasanit dhe për të futur milionat e trafikut të dogës”, tha ai.
Ai lëshoi akuza ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Tahiri që shëtit sot me kalë, pasi u la i lirë.
“Kemi një tjetër ministër të Brendshëm që përpiqet të justifikojë vëllanë, trafikant të drogës dhe tani sekretarin e PS-së që merret me pastrimin e parave të drogës, kanë kaluar te heroina e kokaina dhe pastrimi i parave të pista. 1.5 mln euro ishte pakti dhe marrëveshja është garantuar nga Taulant Balla, këtë ua them unë sot dhe këtë e vërteton koha. Ku do shkojnë këto para, çfarë i lidh Tahirin, Xhafajn, Ballën dhe Velijan, trafiku i drogës, pastrimi i parave dhe ndërtimi i kullave. Këto para do shkojnë te kullat e Erjon Veliajt”, tha Basha.





