Qyteti i Durrësit njihet për 62 km vijë bregdetare në administrim. Bashkia e Durrësit është më e madhja në republike për vijën bregdetare që ka në administrim.
Pavarësisht se në këtë bashki zhvillon aktivitetin industra e turizmit më të madh në vend, sporti i zhytjes, është përjashtuar nga çdo aktivitet. Në gjirin e detit të Durrësit ndalohen veprimtaritë sportive nënujore megjithëse jemi në prag sezoni turistik.
Thoma Berberi është një prej profesionistëve në Durrës, i cili ditët e fundit ka denoncuar në media një problematikë të madhe me të cilën ndeshen zhytësit, një prej sporteve ujore shumë të dashur për të rinjtë e jo vetëm.
Të eksplorosh thellësitë e detit është sport i bukur por kjo nuk lejohet në Durrës. Kjo ka shqetësuar zhytësit durrsakë të cilet thonë se një qytet turistik pa këtë privilegj, krijon mangësi në paketat turistike.
Zhytësi Thoma Berberi, i njohur si konstruktor i objekteve të para zhytëse në vendin tonë si, batiskafi Rinia, roboti i filmimeve nënujore Erald etj, ka shprehur shqetësimin pasi ka kërkuar në Policinë Kufitare të marrë një miratim zyrtar për 2 gazetarë italianë që do të zhyteshin në Durrës pa bombola, për të realizuar disa foto dhe video nënujore për promovimin e këtij rajoni të rëndësishëm bregdetar, por ka marrë përgjigje negative për shkak se nuk e lejon VKM Nr. 321, datë 28.5.2014.
Thoma Berberi nënvizon se kjo gjë nuk ka ndodhur as në sistemin diktatorial të Enver Hoxhës, madje duke qenë zhytjet e lira, ai bën me dije se kanë zbuluar dhe i kanë dorëzuar që në vitet ‘60-të të shekullit të kaluar Vangjel Toçit thesare arkeologjike të cilat ndodhen edhe sot në Muzeun Arkeologjik të Durrësit.
Berberi thekson se ky është një absurditet i administratës së sotme shtetërore që duhet korrigjuar për të mos ju bërë barrë industrisë së turizmit.
K.H.





