Autoritetet maqedonase presin që brenda pak ditësh ta nënshkruajnë me palën greke marrëveshjen e arritur për emrin e ri të Maqedonisë. Por, pakënaqësitë janë të dukshme sidomos tek partitë opozitare si në Shkup edhe në Athinë.

Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov ka ndërprerë sot një takim me kryeministrin Zoran Zaev dhe ministrin e jashtëm Nikolla Dimitrov të cilët kishin shkuar në zyrën e tij për ta njoftuar me hollësitë rreth marrëveshjes. Takimi ka zgjatur vetëm dy minuta, njofton zyra e presidentit maqedonas. Ai kundërshton ndryshimet e paralajmëruara kushtetuese që duhet të bëhen me ndryshimin e emrit të vendit.

Në një fjalim më pas, presidenti maqedon thekson se “kjo është marrëveshje personale e tyre, vendim dhe përgjegjësi e tyre personale”. Ai e quajti këtë një marrëveshje të dëmshme që anashkalon, sipas tij, qëndrimet shtetërore të ndërtuara deri tash, e që janë mosndryshimi i kushtetutës dhe mospranimi i një emri për përdorim të përgjithshëm “erga omnes”.

Marrëveshja, sipas z. Ivanov, nuk është dinjitoze dhe ajo shkelë ligjet dhe rrënon institucionet e vendit. “Nuk do të pranoj legalizimin e ndërtimeve të egra politike”, thekson ai, duke vërejtur mungesën e gatishmërisë së qeverisë për një konsensus kombëtar.

“Teksti i marrëveshjes imponon jo vetëm ndryshimin e emrit kushtetues por edhe të preambulës së Kushtetutës dhe çdo derivat i fjalës Maqedoni do të ndryshojë”, tha Ivanov duke vënë në pikëpyetje patriotizmin e autoriteteve qeveritare në Shkup.

“Qëndrimi im është ky dhe nuk do të më lëkundin me asnjë lloj trysnishë e kërcënimesh. Nuk do ta mbështes as nënshkruaj asnjë tekst të dëmshëm të marrëveshjes”, u shpreh Gjorgje Ivanov.

Edhe VMRO-DPMNE e cilëson si kapitulim të kryeministrit Zoran Zaev, ndërkohë që nuk pranon ndryshimet e paralajmëruara kushtetuese për çështjen e emrit. Ndërkohë në një reagim të qeverisë thuhet se askush nuk ka të drejtë ta pengojë të ardhmen e Maqedonisë.

Marrëveshja shikohet në mënyra të ndryshme nga qytetarët e të të dy vendeve fqinje:

“Maqedonia është greke, siç është Aleksandri i madh, gjuha e lashtë greke, monedhat dhe monumentet”, thotë ky protestues grek.

“Ne jemi maqedonas dhe do të mbetemi të tillë”, thotë kjo protestuese në Shkup.

“Maqedonia gjithmonë do të jetë Maqedoni, por nëse dikush mendon se do të jetë më mirë të jetë Maqedonia e Veriut, le të jetë ashtu”, thotë kjo banore e Shkupit.

Shqiptarët, në veçanti partitë e tyre politike në Maqedoni e kanë mbështetur marrëveshjen më të re që do t’i jepte fund problemit 27 vjeçar të emrit të Maqedonisë.

Ndërkohë, kryeministri Zoran Zaev nuk e ka fshehur entuziazmin, duke thënë se marrëveshja ia hap dyert vendit drejt anëtarësimit të shpejtë në NATO dhe fillimit të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Kemi një zgjidhje historike, shekullore! Një emër dinjitoz dhe gjeografikisht të saktë: Republika e Maqedonisë Veriore. Me përkthim në të gjitha gjuhët; marrëveshja ruan identitetin e popullit tonë maqedonas”, tha kryeminstri Zaev.

Në Athinë, kryeministri grek Alexis Tsipras thekson se marrëveshja siguron se nuk do të ketë synime ndaj territorit grek që mban emrin Maqedoni.

“Në të ardhmen fqinjët tanë veriorë nuk do të mund të pretendojnë asnjë lidhje me civilizimin e lashtë grek të Maqedonisë”, tha zoti Tsipras.

Ai ka një shumicë të brishtë në parlamentin grek dhe analistët në Athinë vlerësojnë se marrëveshja me Shkupin mund t’ia dëmtojë zotit Tsipras karrierën e tij politike.

Ndërkohë, në Shkup së pari marrëveshja do të miratohej në parlament e më pas, në shtator ose tetor do të nxirrej në referendum popullor. Megjithatë, ndryshimet që duhet të bëhen në kushtetutë për shkak të emrit, mendohet se do të jenë të vështira. Nevojitet 2/3 e parlamentit për këtë gjë, që shumica parlamentare nuk e ka.

Emri i ri Republika e Maqedonisë së Veriut ka gjetur mbështetjen ndërkombëtare: marrëveshjen e ka mirëpritur Departamenti amerikan e Shtetit, Bashkimi Evropian dhe NATO./voa