Policia italiane ka ndërmarrë një operacion në brigjet e Salentos në Brindizi, ndërsa ka sekuestruar rreth 2,5 tonë marijuanë e cila dyshohet se kishte ardhur nga Vlora.

Operacioni u krye nga Njësitë e Brindizit të Guardia di Finanzia në bashkëpunim me Departamentin e Operacioneve Detare në Bari.

Mediat italiane shkruajnë se lënda narkotike e sekuestruar mendohet se vinte nga qyteti i Vlorës, e kontrolluar nga mafia lokale e zonës.

Ekuipazhi i varkës ku u gjet droga ka mundur të largohet dhe policia po punon për identifikimin dhe kapjen e tyre.

Sekuestrimi i drogës është bërë gjatë natës së kaluar. Hetimi për këtë trafik droge do të përfshihet në dhjetëra dosjet hetimore të Drejtorisë së Antimafias së Leçes.