Qarkullimi rrugor në Durrës në pritje të fluksit të pushuesve është në kolaps. Në rrugën e plazhit “Pavarësia” në Durrës, nuk lejohen më autobusët me pushues dhe furgonat të qarkullojnë. I gjithë qarkullimi devijohet nga unaza e plazhit e cila shërben edhe si vijim i autostradës Tiranë-Durrës drejt Kavajës dhe Jugut.

Devijimi i të gjitha mjeteve në unazën e plazhit, bën që të gjithë ngarkesën ta mbajë ky segment i ndërtuar me standardin e autostradës me trafikndarëse. Por absurdi këtu qëndron se për shkak të mungesës së mbikalimeve për banorët e zonës, shpejtësia e lejuar është ulur nga 90 km në 40 km në orë me vendosje tabelash dhe qindra shoferë bien në grackën e ngritur të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.

Kreu i bashkisë Vangjush Dako, i pyetur nga “DurrësLajm” tha se do ta rishikojnë këtë problematikë. Bashkia ka në fuqi një vendim që parashikon aplikimin e një takse për të gjitha mjetet e rënda, përfshirë edhe autobusët që do të duan të sjellin turistë në zonën e plazhit, apo edhe në qytet. Për ata që do të duan të futen për të çuar pasagjerët në hotel, taksat variojnë nga 5.000 deri në 15.000 lekë, në varësi të kapacitetit të mjetit. Bashkia i kërkon çdo shoferi, që para se të hyjë në Durrës duhet të paraqesë në bashki të dhënat e regjistrit tregtar, dëshmi penaliteti dhe vërtetim që subjekti ka shlyer detyrimet fiskale para se të marrë lejen e duhur.

Shefi i qarkullimit rrugor Valentin Floriri kërkon nga autoritetet disiplinimin e qarkullimit të autobusëve me pushues nga Kosova në plazhin e Durrësit, ndërsa krybashkiaku Vangjush Dako tha se shoferët e Kosovës duhet të paraqiten në bashki për t’u pajisur me leje të veçantë nëse duan të hyjnë në rrugën e plazhit.

K.H.