Në një kohë kur mazhoranca po kërkon t’i hapë rrugë emërimit dhe pranimit në shkollën e Magjistraturës të prokurorëve dhe gjyqtarëve të rinj, demokratët thonë se ndryshimet e propozuara nga socialistët në ligjin për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë janë simptomë e dështimit të reformës në drejtësi. Demokrati Oerd Bylykbashi thotë se për të dalë nga ky kolaps duhen rishikuar ligjet e reformës në drejtësi.

“Sot ata që kanë bërë keq reformën në drejtësi, po bëjnë edhe propozimin si të ndreqin atë që ka shkuar keq. Nuk mund të kurohet një semundje terminale e atij ligji dhe atij sistemi me aspirina. Ose rinegociohen termat thelbësore të ligjit per organizimin dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë, ose ne do të vazhdojmë të shohim kriza të tilla. Kjo është diçka që sigurisht nuk do t’i japë zgjidhje, do vijnë kriza të tjera”.

Sipas tij, arkitektura e re kushtetuese e ka vendosur Vetting-un si bazament të reformës në drejtësi. Për pasojë një gjë e tillë ka çuar në bllokimin e institucioneve të drejtësisë, mes të cilave edhe Gjykatën Kushtetuese,  që ka mbetur me tre anëtarë, nga të cilët njëri me mandat të përfunduar.

“Po nga këto ligje sot ne kemi bllokimin e Gjykatës Kushtetuese. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi sot nuk funksionon, Gjykata e Lartë është praktikisht e mbaruar sepse nuk mund të kryejë funksionet e veta kushtetuese siç i kërkohet. Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe ai i Prokurorisë nuk janë ngritur. Pra të gjitha këto janë pasojë kryesisht e këtyre ligjeve që u bënë keq, në thyerje e në tradhëti të konsensusit kushtetues të 22 Korrikut 2016”.

Duke qenë se vonesat në zbatimin e Vetting-ut kanë bllokuar emërimet në shkollën e Magjistraturës, socialistët propozuan një amendim në ligjin për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë që lejon hapjen e konkursit për 50 magjistratë të rinj pa Vetting. Por miratimi i këtij ndryshimi kërkon 84 vota, të cilat aktualisht socialistët të vetëm nuk i kanë. /Tv Klan