Autoritetet serbe edhe më tej mendojnë se për zgjidhjen e nyjës së Kosovës ndarja do të ishte më e mira, ashtu që Serbia do të merrte veriun e Kosovës dhe manastiret, porse Perëndimi nuk dëshiron as të dëgjojë rreth kësaj.
Kështu shkruan gazeta “Danas”, siç thotë, duke u thirrur, në qarqe diplomatike. Mesazhi i pardjeshëm i kryetarit serb Aleksandar Vuçiç se “fuqitë e mëdha nuk e njohin, përkatësisht nuk e kanë ndër mend ta respektojnë Rezolutën 1244 dhe kjo do të thotë se kemi shumë pak mundësi të bëjmë diçka”, i është dedikuar opinionit të brendshëm dhe atij në Perëndim para fazës së re të negociatave me Kosovën.
“Në kohë të fundit Vuçiç po e përgatit opinionin në Serbi se është e mundshme katastrofa e plotë lidhur me Kosovën dhe se në këtë rast është i mundshëm edhe një pozicionim i ri gjeopolitik i Serbisë, pra kthim më i madh drejt Rusisë”, kanë thënë burime të kësaj gazete nga Beogradi, transmeton Koha.net.
Sipas tyre, Vuçiq edhe më tej shpreson në koncesione nga Perëndimi, përkatësisht se Perëndimi, përfshirë SHBA-në e BE-në, do të vlerësojnë se për shkak të paqes e stabilitetit të Ballkanit Perëndimor, Serbia të mos shtyhet në përqafim edhe më të madh drejt Rusisë.