Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës (UAMD) ka mirëpritur sot Ambasadën e Mbretërisë së Holandës dhe Komitetin Shqiptar të Helsinkit (KSHH) për Forumin e Hapur "Angazhimi i të Rinjve për Integrimin Europian".
Të ftuar në këtë aktivitet ishin Drejtoresha Ekzekutive e KSHH-së, Erida Skëndaj, Zv.Ambasadorja e Holandës në Tiranë, Petra Heylen, Drejtori i Lëvizjes Europiane Shqiptare, Gledis Gjipali dhe Drejtoresha e Projekteve në KSHH, Miriam Neziri Angoni.
Të ftuarit mbajtën fjalë rreth institucioneve europiane, kritereve e anëtarësimit në Bashkimin Europian, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe angazhimin rinor në monitorimin dhe promovimin e këtyre të drejtave.
Një vend të posaçëm në aktivitet iu dha diskutimit të hapur mes panelistëve dhe studentëve të Fakultetit të Shkencave Politike-Juridike, Fakultetit të Edukimit dhe atij të Biznesit në UAMD.
Aktiviteti u organizua në kuadër të projektit "Përfshirja e të rinjve në integrimin në BE", mbështetur bujarisht nga Ambasada e Vendeve të Ulëta në Tiranë.





