Gjatë vizitës zyrtare të Gjermani, Ministrja e Drejtësisë zj.Etilda Gjonaj u prit në Ministrinë Federale të Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorve nga Ministrja Katarina Barley.
Ministrja Gjonaj i prezantoi homologes së saj ecurinë e zbatimit të reformës në drejtësi, si një angazhim i marrë, pikësëpari ndaj qytetarëve shqiptarë dhe më pas si përmbushje e detyrimeve që ka Shqipëria në kuadër të hapjes së negociatave dhe veçanërisht në përmbushje të detyrimeve të parashikuara në Kapitullin 23 dhe 24 të acqui communitaire.
Lufta kundër korrupsionit veçanërisht në nivele të larta ishte një nga çështjet që u diskutuan nga të dy Ministrat. Në rolin e saj si Koordinator Kombëtar kundër Korrupsionit Ministrja e Drejtësisë, Gjonaj u ndal në masat që ka ndërmarrë qeveria Shqiptare për të forcuar luftën kundër korrupsionit, duke ngritur një task forcë të posaçme kundër korrupsionit.
Reforma e thellë në sistemin e drejtësisë si dhe masat e tjera ligjore të marra për të forcuar luftën kundër korrupsionit kanë sjellë rezutate konkrete në fillimin e ndjekjes penale dhe dënimin e zyrtarëve të lartë publik, pjesë e sistemit gjyqësor, të ekzekutivit, të pushtetit vendor, si dhe atij ligjvënës.
Ministrja i bëri me dije zj. Barley që hapja e negociatave ndihmon në thellimin e reformave shtetformuese që garantojnë forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër krimit të organizuar, tërheqjen e investimeve të huaja dhe rrjedhimisht, rritjen ekonomike të Shqipërisë dhe qytetarëve Shqiptare.
Ministrja Federale e Drejtësisë dhe e Mbrojtjes së Konsumatorëve vlerësoi shumë reformat që ka ndërmarrë Shqipëria veçanërisht në sistemin e drejtësisë dhe në luftën kundër korrupsionit. Lufta kundër korrupsionit, u shpreh ajo, është një betejë e përhershme dhe nuk është e fituar plotësisht as edhe në Gjermani, por e rendesishme është tha ajo që shtetet të dinë t’i përgjigjen me masa të përshtatshme.
Përpjekjet antikorrupsion që bën Shqipëri janë akoma më të vështira për shkak të praktikave të vendosur në vite. Megjithatë, perpjekjet e deritanishme të Shqipërisë në këto fusha, sipas saj kanë pasur rezultate mbresëlënësë, veçanërisht e krahasuar edhe me vendet e tjera të rajonit. Ministrja Barley e siguroi Ministren Gjonaj për mbështetjen e saj dhe të Ministrisë Federale të Drejtësisë lidhur me vazhdimin e reformave që garantojnë forcimin e shtetit ligjor, pavarësinë e sistemit të drejtësisë si dhe luftën kundër korrupsionit.
Në përfundim të takimit, dy Ministrat ranë dakord për të forcuar më tej bashkëpunimin veçanërisht në fushën e reformës në burgje. Për këtë qëllim u ra dakord që ndërmjet dy Ministrive do të nënshkruhet një memorandum bashkëpunimi në të cilin konkretizohen asistenca dhe mbeshtetja që Ministria Federale e Drejtësisë do t’i ofrojë Ministrisë së Drejtësisë në përmirësimin e sistemit penitenciar në Shqipëri.





