Vizitorët e Muzeut Arkeologjik të Durrësit bashkë me objektet mijëvjeçare kanë ndjekur sot punimet e nxënësve të shkollave të mesme të qytetit.

Në ekspozitën e përgatitur me ndihmën e shoqatës “Udhëtim i lirë”, janë paraqitur 63 punime të frymëzuara nga monumentet historike dhe arkeologjike të qytetit antik, të cilat janë krijuar me materiale të riciklueshme prej të rinjve të moshës 15-18 vjeçare.

Miranda Mansaku, kryetare e kësaj shoqate, tha se për katër muaj radhazi nxënësit e shkollave “Dom Nikoll Kaçorri”, “Benardina Qeraxhia”, “Olsi Lasko” dhe “Beqir Çela” janë njohur me elementet ku ndërthuren mjedisi dhe monumentet arkeologjike e historike të Durrësit.

Të mbështetur nga Raiffeisen Bank dhe në kuadër të zbatimit të projektit “Clean Today – Healthy Tomorrow” (Pastër Sot – Shëndetshëm Nesër), në këto shkolla po vijon fushatë ndërgjegjësimi e të rinjve, mbi rëndësinë e riciklimit, si një formë e rëndësishme e mbrojtjes së mjedisit.

Nxënësit e shkollës “Beqir Çela” u shpallën më të mirët për numrin e veprave të paraqitura dhe për cilësinë e shfrytëzimit të materialeve të riciklueshme, duke u bërë njëkohësisht edhe fitues të një peme ulliri.

Punimet e nxënësve Ervis Dautaj, Belkiza Gjipali dhe Afrim Lleshi u veçuan si më të mirat e veprimtarisë, që synon ndërgjegjësimin e të rinjve për rëndësinë e mjedisit.