Këtë vit, operatorët e plazheve privatë në bashkinë e Durrësit nuk do të paguajnë më tarifën prej 300 lekë për metër katror, por një taksë më të lartë.

Bashkia ka vendosur të rrisë tarifën me 50 lekë për metër katror, ndërsa të ardhurat shtesë të planifikuara për t’u të mbledhur janë parashikuar të shkojnë për rritjen e shërbimit të pastërtisë në plazhe. Drejtori i tatim taksave në bashki, Luan Dajko, në një prononcim për DurrësLajm tha se tarifa e shtuar do të shkojë për shtimin e përkujdesjes për garantimin e pastërtisë në plazhet publike.

Luan Dajko tha se edhe këtë vit, e gjithë hapësira e rërës së plazhit është parashikuar të ndahet në raportin 80% të privatit, ku përparësi kanë hotelet dhe 20% për plazhet publike. Ndërkohë një kriter i rreptë i vendosur nga bashkia e Durrësit është që subjektet që kanë mbetur debitore nga vitet e kaluara, këtë vit nuk do të pajisen më me licensë.

Nga Currilat deri në Plepa janë rregjistruar 159 subjekte plazhe private, ndërsa pritet që këtë sezon të bëhet edhe disiplinimi i sipërfaqeve në zonën e Shkëmbit të Kavajës.

Subjektet sapo kanë filluar të aplikojnë për licensimin e plazheve private.

K.H.